Titulli: Rrëfimet më të mira – pjesa e dytë
Autori: Amër Istrefi
Redaktor: Elhaid Alija
Faqosja: Bledar Xama
Botues: Privat
Lexues fisnik, vlerat njerëzore si bujaria, çiltërsia, trimëria, besnikëria, nderi, sjellja e mirë me prindin, kujdesi për familjen, përkrahja e nevojtarit e të tjera të ngjashme me to, janë të patjetërsueshme sado të kalojnë motet e të zhvillohet teknologjia, sepse burojnë nga fjalët e Allahut që nuk ndryshojnë.
Të gjitha këto vlera i përmban lumi i moralit të mirë, uji i bekuar i të cilit i fal jetë filizave të shoqërisë njerëzore. Nëse filizi ujitet me ujë të pastër e të kulluar, forcohet kërcelli i tij, drejtohet, rritet e lëshon shtat duke u shndërruar në trung të qëndrueshëm, të cilin, me ndihmën e të Madhit Zot, nuk e rrëzon dot stuhia e dëshirave të këqija dhe as tufani i paturpësive. Ngjashëm me bimën, nëse fëmijët dhe rinia do të rrisin shtatin me historitë e Kur’anit Fisnik dhe tregimet e Profetit besnik do bëhen besimtarë të palëkundur, drita udhëzimi dhe burime mirësie për shoqërinë që i rrethon.