Autor: Ali Bulaç
Titulli: Islami dhe demokracia, teokracia dhe totalitarizmi
Përktheu: Nexhat Ibrahimi
Recensent: Dr. Musa Gashi, Husamedin Abazi
Formati: 9.5 x 13.5
Faqe: 222
Botues: Logos-A
Viti: 1998
Vendi: Shkup
Vepra e Ali Bulaçit, e titulluar “Islami dhe demokracia – teokracia dhe totalitarizmi”, e hartuar në vitin 1994, e përkthyer në boshnjakisht në 1995, respektivisht e përkthyer në gjuhen shqipe nga z. Nexhati lbrahimi, paraqet një libër të përpiluar në mënyrë briliante nga mendimtari i përmendur, i koncipuar dhe i shtruar me metodologjinë logjike të një pjese të historisë kulturore dhe shpirtërore të njerëzimit, me praninë e gjendjes paradoksale ndermjet formacioneve, strukturave që i përbëjnë subjektet SHOQËRIA – SHTETI (MODERN) NACIONAL aktual me segmentet SHTETI-SHOQËRIA-INDIVIDI, SHTETI KOMPANI, të organizuara në momentin e pikërishëm historik të Perëndimit dhe në botë, të cilat gjatë dy shekujve të fundit ushtrojnë ndikim vendimtar në përcaktimin e proceseve kulturore, ekonomike dhe politike në boten aktuale. Ecuritë e tilla tani e kanë sjellë tërë botën në një rrugë pa dalje (Fukuyama). Në veprën në fjalë dallohet stili dhe mënyra e rafinuar e shpjegimeve dhe sqarimeve të autorit, sidomos kur analizon gjendjen e krijuar politike, sociale, morale dhe etike në suazat e shteteve të ashtuquajtura moderne, të cilat në mekanizmin e funksioneve administrative paraqesin shtete, në të vërtetë represive, në raport me ato të shekujve të kaluar. Ky qëndrim në vehte paraqet pothuaj gjendjen e përgjithshme të situatës politike dhe shoqërore në botë. Në këtë vepër, me një mjeshtri të veçantë autori citon në mënyrë komparative mendimet e M. Ikballit të shkruara në vargje me një stil sarkastik, kur është fjala për jetën e rosave dhe të krokodilave në një rrjedhë të përbashkët të ujërave, me aludim se në botën aktuale shtetet-kompani paraqesin krokodilat kurse bota tjetër rosat, të cilat nuk kanë fuqi të shtyhen me krokodilat.