Ballina Aktivizmi Horizonte të hapura për punë serioze – Fehd bin Jahja El-Amari

Horizonte të hapura për punë serioze – Fehd bin Jahja El-Amari

Horizonte të hapura për punë serioze - Fehd bin Jahja El-Amari
Horizonte të hapura për punë serioze - Fehd bin Jahja El-Amari

Horizonte të hapura për punë serioze – Fehd bin Jahja El-Amari

Titulli origjinal i librit:
فتح آفاق للعمل الجاد
(Fet’hu afaki lil ameli el- xhadi)

Autor: Fehd bin Jahja el-Amari
Gjykatës në Gjykatën e Apelit në Mekën e Shenjtë
Përkthyesi: Kastriot Bardhi
Korrektoi: Valmira Bardhi
Konceptimi grafik & faqosja: Julian Kapo
Korçë, Gusht 2019

(Dhulhixhe 1440)


 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirplotit!
Çdo lavdërim i përket vetëm Allahut. Paqja, bekimet dhe mëshira e
Allahut qofshin mbi atë (Profetin Muhamed), pas të cilit nuk ka më profet
tjetër.

Vëllai im, o musliman i devotshëm! Puna serioze është kërkesë e
qenësishme e besimit. Njeriu duhet të pajiset me dituri, me edukatë e
me besim. Krahas vetes ai duhet të përgatisë edhe ata që i ka nën
përgjegjesi, si: djemtë e vajzat, nxënësit e nxënëset, institucionin e
shoqatën etj. T’i mësojë e t’i ushtrojë ta shfrytëzojnë në maksimum çdo
moment, dhe jo vetëm në sezone provimesh, siç e konceptojnë apo
veprojnë disa. Secili prej nesh duhet të ndihmojë vëllain e vet. Ne të
gjithë jemi udhëtarë në rrugën drejt Allahut dhe ymeti islam është si një
trup i vetëm. Kjo është një ndër çështjet bazike të vëllazërisë së vërtetë,
të dashurisë së sinqertë, të shërbimit ndaj fesë së Allahut dhe
bashkëpunimit në punë të mira dhe në devotshmëri.

U drejtohem me një mesazh dashurie e dhemshurie vëllezërve të mi në
fe, imamëve e muezinëve, mësuesve e misionarëve të fesë, nënave e
baballarëve, edukatorëve e edukatoreve, të vegjëlve e të mëdhenjve,
meshkujve e femrave, të gjithë besimtarëve, duke sjellë vëmendjen e
tyre rëndësinë e përfitimit prej kohës dhe shfrytëzimit të të gjitha
mundësive, për të garuar në vepra të mira, për të përvetësuar virtytet e
vlerat e larta morale e për t’u larguar nga veset e sjelljet e këqija, para
se të ikë koha e të humbasim shanset.
Ky mesazh i drejtohet secilit që ka brengë për këtë fe dhe e ndjen
përgjegjesinë e përcjelljes së Mesazhit të vulës se profetëve, të Profetit
më të mire, Muhamedit, paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin
mbi të.
U drejtohet atyre që punojnë në vatrat e edukimit dhe kanë marrë
përsipër rolet drejtuese, atyre që përgatitin brezin e ri dhe digjen si qiriri
për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve.

U drejtohet gykatësve, mjekëve, inxhinjerëve dhe çdo muslimani që
është xheloz për këtë fe.
Gjithashtu u bën apel atyre që ankohen nga mungesa e organizimit të
kohës së lirë dhe prapambetja në çështjet e dijes, të thirrjes në fe dhe të
besimit.

U drejtohet atyre që preferojnë rehatinë dhe tërheqjen nga vështirësitë.
U bën thirrje atyre që dëshirojnë të jetojnë nën hije, larg nxehtësisë së
diellit, shohin veten e familjen e tyre dhe nuk interesohen për të tjerët; u
bën apel atyre që vetëm marrin dhe nuk japin; dëgjojnë dhe nuk
reflektojnë, konsumojnë dhe nuk prodhojnë, e zotërojnë mirë artin e
ikjes nga përgjegjësitë dhe nuk kontribuojnë në përhapjen dhe
përvetësimin e kësaj feje, duke përdorur justifikime joserioze dhe truke
psikologjike të brishta. Sikurse, bën thirrje për vrasjen e negativitetit dhe
papunësisë me “thikën” e punës dhe apelon për të hapur një faqe të re
në jetë.

U tërheq vërejtjen njerëzve që vrasin veten dhe të tjerët me duart e
tyre, duke keqpërdorur mendjet, dhuntitë dhe potencialet.
U drejtohet atyre që gdhijnë natën duke biseduar në dritën e Hënës,
edhe atyre që peshkojnë në ujëra të turbullta dhe që përgojojnë rrugëve
e skutave. Është thirrje për reflektim drejtuar njerëzve të shkujdesur, që
nuk kanë qëllime të larta dhe as ndonjë mision fisnik në jetë, njerëzve që
vrasin kohën duke u marrë me thashetheme, njerëzve fanatikë e të
lidhur me njëri-tjetrin nga të njëjtat interesa të ngushta vetjake, që
mburren me sojin e tyre dhe i përbuzin të tjerët, i përhapin shpifjet e
trillimet, njerëzve që hyjnë shumë në polemikë, përgjojnë e gjurmojnë
të metat e mangësitë e të tjerëve, pyesin shumë për gjëra të
parëndësishme e pa dobi fetare e jetësore, që janë spektatorë, kritikë e
skeptikë.
Nuk është çudi. Këto janë pasojat papunësisë dhe kohës së zbrazët!
Mesazhi u drejtohet atyre që e kalojnë kohën në kafenetë e mbushura
plot me ligësi! U drejtohet njerëzve me prirje anarkiste, njerëzve të
dëshpëruar e të zbrazët shpirtërisht, atyre që shfaqin devotshmëri
sipërfaqësore.

Është një mesazh i fuqishem që i nxit të gjithë në rrugën drejt
përmirësimit e ripërtëritjes, synon edukimin shpirtëror dhe arritjen e
kënaqësisë së Allahut, Sunduesit të Shenjtit (i pastër nga çdo e metë).
Libri titullohet “Horizonte të hapura për punë serioze”. Këto janë
punët e vyera e të frytshme, dobia e të cilave është e gjithmbarshme.
Përmes këtij libri çelet horizonti për ata që u është zënë një pjesë e tij.
Çelet horizonti para atyre që nuk kanë mundur të perceptojnë një pjesë
të tij. Çelet horizonti për ata që mendojnë se thirrja në Islam realizohet
vetëm nëpërmjet leksionit, internetit apo librit. Teksti i këtij libri është
produkt i një studimi të thelluar të ideve dhe pikëpamjeve që gjenden në
brendësinë e librave që kanë në fokus çështjen e ringritjes, ripërtëritjes
dhe rikthimit të lavdisë së ymetit islam.

Unë po jua paraqes këto ide e pikëpamje, edhe pse jam i vetëdijshëm se
midis jush ka dijetarë, njerëz të mëdhenj e fisnikë, edukatorë të mirë e
profesionistë. Por, gjithsesi, dëshira ime është përkujtimi e këshilla,
sepse këshilla u bën dobi besimtarëve. U kërkoj ndjesë të gjithëve, por
ndodh edhe kështu siç shprehet imam Neveviu: “Nuk ka problem që i
vogli të përkujtojë të madhin dhe i miri ta përkujtojë atë që është më i
mirë.” Unë nuk jam i pagabueshëm dhe nuk mund t’i shmangem
gabimit. Mjafton të them që ky është ixhtihadi1 im. Allahu e bëftë këtë
vepër të sinqertë, për të fituar kënaqësinë e Tij. Qoftë ky libër i
dobishëm për këdo që e lexon. Allahu e bëftë atë një fjalë të mirë që jep
fryte në çdo kohë, me lejën dhe vullnetin e Tij, Allahu i përmirësoftë
zemrat, i zgjoftë shpirtrat, i forcoftë vullnetet dhe i lartësoftë ambiciet.

Artikulli paraprakRamazani 2026
Artikulli tjetërLUTJET E AGIMIT – Fehd bin Jahja El-Amari