Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, lavdërimi dhe shpëtimi i Tij qoftë me Lajmëtarin e fundit Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!
“Lexo në emër të Zotit tënd!” ishte fillimi,
ndërsa me “lexo dhe ngrihu!” nisemi kah amshimi.
Me lexim dallohen popujt, zhvillohen kulturat dhe arrihet dija. Njerëz të mëdhenj janë ata që lexojnë shumë, shoqërohen me librin dhe nuk ndahen prej tij, aq sa edhe të afërmit e tyre u kanë zili.
Platforma para jush është një projekt fillestar i cili synon ngritjen e vetëdijes tek populli ynë shqiptar për t’u stolisur me lexim dhe me njohuri që do t’i bëjnë dobi në këtë dhe në botën tjetër. Biblioteka islame globalisht është një thesar shumë i pasur, por fatmirësisht edhe në gjuhën tonë kemi material me bollëk, ndonëse akoma jo të mjaftueshëm.
Me anë të kësaj platforme digjitale synojmë t’ua lehtësojmë dashamirëve të leximit arritjen tek libri në mënyrë më të lehtë dhe më të lirë. Sot teknologjia ka përfshirë çdo segment të jetës, e rrjedhimisht edhe librin. Me digjitalizimin e librit është lehtësuar bartja e një biblioteke të tërë, me mijëra libra, në një xhep të xhaketës. Meqë ka një kohë të gjatë që libri Islam në gjuhën shqipe qarkullon nëpër rrjete të ndryshme interneti, vendosëm që kësaj radhe të fillojmë seriozisht me grumbullimin në një vend të të gjithë materialit ekzistues Islam nga sajtet apo rrjetet e ndryshme; duke dizajnuar atë që nuk gjendet e plotë dhe duke klasifikuar në kategoritë përkatëse secilin libër apo literaturë; të gjitha këto, vetëm për t’ia prezantuar atë lexuesit në një formë sa më të bukur digjitale, si dhe sa më të këndshme për lexim.
Në të vërtetë, kjo është faza e parë e projektit, i cili më vonë do të zgjerohet dhe do të plotësohet me ide dhe nën-projekte të reja. Platforma vazhdon të jetë në fazën e grumbullimit të materialit të qasshëm online, duke ridizajnuar sipas nevojës dhe klasifikuar atë, duke synuar që në ndërkohë, të ndërtohet edhe një bashkëpunim i mirëfilltë me autorët, përkthyesit dhe shtëpitë botuese të librit Islam, për t’ua ofruar atyre mundësinë e kontribuimit të drejtpërdrejt me librat e tyre përkatës, konform të drejtave autoriale.
Platforma është plotësisht jofitimprurëse dhe nuk synon t’i bëjë konkurrencë në asnjë mënyrë librit të shtypur, e as shtëpive botuese, por është një alternativë për ata të cilët e preferojnë pak më shumë shfletimin e literaturës përmes ekraneve të pajisjeve të tyre teknologjike.
Platforma është një bibliotekë e hapur, e cila rrjedhimisht, nuk mban përgjegjësi për çdo informacion që përçojnë tekstet e librave. Platforma i ofron lexuesit mundësinë e leximit dhe hulumtimit, e jo domosdoshmërisht edhe përkrahjen për metodologjinë apo ideologjinë që lexuesi mund të synojë.
Sa i përket të drejtave autoriale, të gjitha librat që janë në këtë platformë janë të marra nga burime të cilat janë plotësisht të qasshme për lexuesit pa dallim, andaj edhe nuk mbajmë përgjegjësi për të drejtat autoriale. E nëse dikush pretendon shkelje të këtyre të drejtave, patjetër se do ta respektojmë kërkesën e tij.
S’ka dyshim se ky angazhim i yni nuk ka shpëtuar nga mangësitë dhe gabimet eventuale, porse ajo që do ta plotësojë këtë mangësi është kontributi juaj, andaj ju lusim që të mos hezitoni për të bashkëpunuar me ne, në çfarëdo forme që keni mundësi, qoftë përmes vërejtjeve eventuale, e deri tek kontributi juaj direkt në ndërtimin e kësaj platforme!
Qofshi të mirëseardhur!
Me respekt
Mr. Llokman Hoxha