Titulli i librit: Lutje nga Kurani dhe Suneti
për një umre të sukseshme dhe të paharrueshme
Përgatiti: Kastriot Bardhi
Redaktoi: Valmira Bardhi
Korçë,
Nëntor 2023
Me emrin e Allahut,të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Në këtë liber të vogël, do të mësoni lutje të zgjedhura
nga Kurani i madhërishëm dhe Suneti i Profetit (Paqja e
Allahut qoftë mbi të!), për t’u lutur me to gjatë kryerjes së
riteve umres.
Lutja
• Lutja është thelbi i adhurimit, sepse nëpërmjet saj robi,
pranon dobësinë dhe varfërinë e tij, i drejtohet Krijuesit të
Lartësuar më përgjërim e përulësi, i kërkon Atij prej të
mirave e begative të kësaj bote dhe të botës tjetër. Profeti
(Paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Lutja është
adhurim”.
• Lutja dhe përmendja e Allahut, kthimi tek Ai me
pendim dhe shfaqja e varfërisë para Tij, të gjitha këto, janë
nga qëllimet më të rëndësishme të umres dhe haxhit. Lutja
është pjesë e qenësishme e umres dhe e haxhit në të gjitha
gjendjet, rrethanat dhe fazat e tyre. Prandaj, Profeti (Paqja
e Allahut qoftë mbi të!) thotë: “Tauafi rreth Shtëpisë së
Shenjtë, saji ndërmjet Safasë e Meruasë dhe gjuajtja e
guralecëve në Xhemerate, të gjitha këto rituale të haxhit,
janë caktuar për t’u përmendur Allahu i Lartësuar.”
Rregullat e lutjes
• Allahu i Lartësuar është afër robërve të Tij; i dëgjon
lutjet dhe i përgjigjet kërkesave të tyre. Lutja e cila
mishëron në vetvete etikën që na ka mësuar Profeti (Paqja
e Allahut qoftë mbi të!) dhe kryet sipas rregullave të
përpikta, është më afër përgjigjes (pranimit). Allahu i
Lartësuar thotë:
وإذا سألك عبادي عني فإني قريب أجيب دعوة الداع إذا دعان فليستجيبوا لي
وليؤمنوا بي لعلهم يرشدون
“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju
se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më
lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le
të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.”
Disa nga rregullat e lutjes:
• T’i lutesh Allahut me emrat e Tij të bukur. Allahu i
Lartësuar ka thënë:
و لل الأسماء الحسن ى فادعوه بها وذروا الذين يلحدون ف ي أسمائه
“Allahut i përkasin emrat më të bukur, prandaj thirreni
Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i
shtrembërojnë emrat e Tij.”
Kështu p.sh.: nëse i kërkon Allahut të Lartësuar mëshirë,
thuaj: “O i Gjithëmëshirshëm, më mëshiro!” Nëse i kërkon
Allahut të Lartësuar falje, thuaj: “O Falës, më fal!”
• Ta fillosh lutjen me lavdërimin e Allahut të Lartësuar
dhe dërgimin e salavateve mbi të Dërguarin e Tij (Paqja e
Allahut qoftë mbi të!).
• Kur lutesh, i ngre duart dhe i kërkon Allahut si një
nevojtar i përulur. Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!)
thotë: “Vërtet që Allahu i Lartësuar është i Turpshëm e
Bujar. Ai turpërohet t’ia kthejë duart bosh robit të Vet,
kur i ngre ato drejt Tij.”
• Prania e zemrës dhe siguria se Allahu e dëgjon lutjen
e tënde dhe i përgjigjet asaj. Profeti (Paqja e Allahut qoftë
mbi të!) thotë: “Lutjuni Allahut duke qenë të sigurt se Ai
do t’ju përgjigjet. Dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet
lutjes nga një zemër e shkujdesur dhe e hutuar.”
• Të lutesh në mënyrë të përsëritur dhe me
këmbëngulje; të mos nxitohesh në pritjen e përgjigjes, siç
thotë Profeti (Paqja e Allahut qoftë mbi të!): “Allahu i
përgjigjet lutjes së robit, kur ajo nuk përmban në vetvete
mëkat dhe as tendencë për shkëputjen e lidhjeve të gjakut,
si dhe kur ai nuk tregohet i nxituar’. I thanë: ‘O i Dërguar i
Allahut, çfarë ke për qëllim me fjalën ‘nxitim’?’ Ai tha: ‘Robi
nxitohet, kur thotë: ‘U luta, u luta, por nuk m’u plotësua
lutja!’ Për këtë arsye, ai brengoset dhe e braktis lutjen.”
• Të lutesh me përulësi e frikërespekt, duke ndjerë
dobësinë tënde dhe se ti ke shumë nevojë për Allahun, si
dhe duke qenë i bindur që Zoti yt i Lartësuar është i Pasur,
i Vetëmjaftueshëm dhe i Gjithëfuqishëm. Ti shpreson në
shpërblimit e Tij dhe ke frikë nga dënimi i Tij. Allahu i
Lartësuar thotë:
إنهم كانو ا يسارعون في الخيرات ويدعونن ا رغب ا ورهب ا وكانو ا لنا خاشعي ن
“Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na
luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj
Nesh.”
• Lutja të jetë e fshehtë, me zë pëshpëritës e të
padëgjueshëm për të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë:
ادعوا ربك م تضرع ا وخفي ة
“Lutjuni Zotit tuaj me përulësi dhe në fshehtësi!”













